Presidenti Stevo Pendarovski instruksionet e presidentit bullgar Rumen Radev që shërbimet e sigurisë të reagojnë ndaj shkeljes së pretenduar të të drejtave të bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, i vlerëson si ndërhyrje në çështjet e brendshme të një shteti tjetër, anëtar i NATO-s. Kryeministri Zoran Zaev bën thirrje për kujdes, ndërsa për të drejtat e pakicave u referohet parimeve të Këshillit të Evropës.

Presidenti bullgar vepron në kundërshtim me parimin për mosndërhyrje në çështjet e brendshme të një shteti tjetër, anëtar i NATO-s, thuhet në reagimin e sotëm të presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, drejtuar në adresë të presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev.

“Jashtë procedurave të brendshme të Aleancës është president i një vendi – anëtar të NATO-s dhe u bën thirrje shërbimeve të tij të sigurisë të reagojnë për shkelje të pretenduar të të drejtave të qytetarëve në një vend tjetër anëtar të NATO-s. Reagimi i presidentit bullgar është në kundërshtim edhe me parimin themelor në politikën ndërkombëtare për mosndërhyrje në çështjet e brendshme të një vendi tjetër.”

Dje, siç përcjell kabineti i tij, Radevi është takuar me përfaqësues të shërbimeve të sigurisë së Bullgarisë duke kërkuar që “institucionet të reagojnë në lidhje me diskriminimin e Bullgarëve në Maqedoninë e Veriut”, pasi pretendon se ka pranuar letër nga një shoqatë e bullgarëve etnikë në Manastir, në të cilën theksohet se “ata shprehin shqetësim për shkak të diskriminimit të vazhdueshëm”.

“Presidenti Radev ka biseduar me udhëheqësit e shërbimeve të sigurisë për marrjen e masave për mbrojtje adekuate të të drejtave të qytetarëve bullgarë, jashtë kufirit, të cilët janë objekt i sulmeve vetëm për shkak të përcaktimit të tyre kombëtar.”

Kryeministri Zoran Zaev, Sofjes zyrtare i bën thirrje se nuk ka nevojë për dërgimin e agjentëve të sigurisë.

“Të jemi të kujdesshëm sepse gjithmonë kemi ditur t’u përgjigjemi për çdo shqetësim të tyre, ashtu siç kanë ditur edhe ata të japin përgjigje për shqetësimin tonë. Të mos biem pre e çfarëdoqoftë shpifjeve ose informatave të pasakta, gjithmonë mund t’i verifikojmë. Ne jemi vende anëtare të NATO-s, ne jemi aleatë, nuk kemi nevojë për dërgimin e agjentëve të sigurisë që t’i konstatojnë të drejtat e qytetarëve.”

Zaev rikujton se është e palejueshme ndërhyrja në çështjet e një vendi tjetër, që është deklaruar edhe në Marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë. Në negociatat me fqinjin lindor, shton kryeministri, bisedojmë edhe për mosndërhyrje në pakicat, sepse kjo zgjidhet në Këshillin e Evropës.

Klan Macedonia