“Nuk funksionojnë institucionet vitale të shtetit”

Presidenti i Maqedonisë se Veriut Stevo Pendarovski është treguar tepër kritik për mosreagimin si duhet të institucioneve ndaj problemeve dhe sfidave aktuale, sidomos kur është fjala për megaskandalin e fundit  ‘Zhvatja’, ku një afaristi i janë marrë 1.5 milion Euro për të shpëtuar nga një proces gjyqësor, e në të cilin, përveç dy personave të paraburgosur, dyshohet të jetë e implikuar edhe prokurorja speciale në dorëheqje, Katica Janeva.

“Institucionet vitale të këtij shteti nuk funksionojnë, nuk u shërbejnë qytetarëve dhe nuk po e luftojnë krimin dhe korrupsionin në atë nivelin që është i domosdoshëm për të thënë përfundimisht se jemi demokraci e pjekur. Jo vetëm demokraci në tranzicion”.

Pendarovski duke konfirmuar se ka dyshime në publik për zhdukje të provave në Prokurorinë Speciale Publike. Sipas tij, nga mënyra se si do të menaxhohet rasti ‘Zhvatja’ do të varet edhe vendimi për çeljen apo jo të bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian:‘nga reagimi i Republikës së Maqedonisë së Veriut, në tërësi, do të varet në masë të madhe vlerësimi i anëtarëve të Bashkimit Evropian, në vjeshtë, kur do të shqyrtojnë kërkesën tonë për çeljen e negociatave për anëtarësim”.

Presidenti i Maqedonisë se Veriut ka  vlerësuar se garnituara aktuale në pushtet gjatë këtyre tre viteve e gjysmë ka bërë shumë për transformimin e shtetit dhe për pavarësinë e institucioneve të drejtësisë nga ndërhyrja e politikanëve, por e njëjta duhet të bëjë më shumë për përballimin e problemeve me të cilat aktualisht po përballet Maqedonia e Veriut.

Tv Klan