Presidenti i RMV takon kreun e opozitës

Edhe pse në opinion u krijua bindja se politika po kërkon mënyrë që ti shpëtojë terroristët e 27 prillit, e kjo bindje filloi të shpërndahet edhe më shumë kur kreu i opozitës kërkoi takim me Presidentin, Presidenti Pendarovski sot ishte i prerë.

“Falja për persona që kanë bërë vepër penale pa presedan në Evropën bashkëkohore, nuk vjen as parasysh sepse faji i tyre në këtë proces është dëshmuar pa asnjë dilemë”.

Amnisti nuk ka kërkuar as kreu i opozitës, Hristijan Mickoski.

“Atë çka e kërkoj unë dhe që e thash edhe në këtë takim, është se unë nuk po kërkoj amnisti, por drejtësi”.

Mickoski ankohej për përzierje të politikës në këtë rast, që ka ndikuar në trupin gjykues që dënimet të jenë kaq të larta. Por a po ndikohet në vendimet gjyqësore me takime të tilla ku kërkohet të shfajësohen personat e dënuar për 27 prillin?

“Thatë që politika nuk duhet të përzihen në gjykata dhe se gjykatësit janë ata që duhet të gjykojnë.. Çfarë bëni ju dy politikën në takime të tilla ku temë janë vendime gjyqësore? A nuk është kjo ndonjë lloj i presionit ndaj gjykatësve?”

Presidenti mbetet në formulimin e trupit gjykues dhe nga aspekti juridik nuk dëshiron as të shtojë dhe as të heqë ndonjë fjalë nga vendimi, por është i mendimit se nëse ka prova të reja, rasti mund të rihapet. Të njëjtin mendim e ka edhe Kryeministri, Zoran Zaev.

“Si të gjitha rastet tjera në këtë shtet nëse ka prova të reja që nuk kanë qenë më herët dhe që ndikojnë në mundësinë që të vendimi gjyqësor të jetë i ndryshëm atëherë duhet sikur në rastet tjera të rihapet”.

Ndërkohë, kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ishte më i drejtpërdrejtë.

“Është ushtruar dhunë ndaj përfaqësuesve të popullit, është ushtruar brutalitet, por jo edhe vlerësimi akte terroriste. Dihet se cilat janë aktet terroriste dhe çfarë kualifikimi është akti terrorist.”

Presidenti Pendarovski tha se kanë folur vetëm 3,4 minuta për temën e 27 prillit, e tema tjera kanë qenë edhe bisedimet me Bullgarinë dhe proces integrues i vendit. Për nesër, është i paralajmëruar takim i Presidentit edhe me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev.

Klan Macedonia