Filipçe: Kufizimi i lëvizjes nuk do të ketë asnjë efekt

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski menjëherë pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë apeloi deri tek qytetarët që të respektojnë dhe zbatojnë në përpikëri masat dhe protokollet e qeverisë, e që kanë për qëllim ballafaqimin me Covid-19. Ndërkohë që u shpreh se nuk është koha për përfitime politike.

Për shkak të valës së vjeshtës, Presidenti Pendarovski tha se sistemi shëndetësor po riorganizohet, po angazhohen kapacitete shtesë dhe se po bëhen përpjekje maksimale që të testohen më shumë persona dhe të përkujdesen sa më shumë pacientë. Situata është serioze, tha Presidenti Pendarovski duke bërë thirrje që të respektohen masat dhe protokollet e autoriteteve dhe kjo situatë të mos shfrytëzohet për përfitime politike.  

“Për fat të keq kemi rritje të të infektuarve, por edhe atyre që ndërrojnë jetë. Me këtë situatë po përballen edhe vendet më të zhvilluara. Kjo situatë të mos shfrytëzohet për pikë politike, nuk e di a mund të dikush të mendoj për këtë kur e dimë se të gjithë jemi humbës, duke parë numrin e madh të viktimave nga pandemia. Situata është serioze, andaj apeloj deri tek të gjithë qytetarët që në mungesë të vaksinës nuk ka alternativë tjetër pos respektimit të masave dhe protokolleve, ju lutem bëjeni këtë për ju, për të afërmit tuaj”.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe siguroi se asnjë pacient nuk do të mbetet pa u trajtuar dhe se ka kapacitete të mjaftueshme spitalore dhe kadrovike.

“Spitali Modular është gati se i mbushur. Instituti për Sëmundje të Mushkërive dhe kapacitete tjera spitalore nën suaza të shumë klinikave interne, Klinika e Dermatologjisë dhe Klinika e Neurologjisë ku ka qasje deri tek rrejti i oksigjenit janë të gatshme. Po përgatiten edhe reparte tjera në spitalin “8 Shtatori”. Ka shtretër spitalorë mjaftueshëm edhe kuadri shëndetësorë është i gatshëm të punojë me pacientë me Covid-19. Qytetarët të jenë të qetë, askush nuk do të mbetet pa mbrojtje shëndetësore dhe pa shërbime mjekësore”

Nuk ka nevojë për gjendje të jashtëzakonshme, kur kemi parlament funksional, ka deklaruar Presidenti Stevo Pendarovski. Ai ka bërë të ditur se kjo çështje nuk është diskutuar në takim dhe se nuk beson se me gjendje të jashtëzakonshme mund të ketë efekte më të mëdha në betejën kundër Covid-19. Ndërkaq Kryeministri Zoran Zaev u shpreh se qeveria do të veprojë në bazë të rekomandimeve të KSI-së, por për momentin, siç tha, nuk ka nevojë për situatë të jashtëzakonshme.

Edhe Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, u dakordua se kufizimi i lëvizjes nuk do të prodhojë asnjë efekt. Ndërkaq, lidhur me mbylljen sërish të kufijve, u tha se po analizohet situata epidemiologjike ku rezultatet tregojnë se për momentin nuk ka transmision të madh të virusit si pasojë e hyrjeve në vend.

Tv Klan