Diskutime për mos hapjen e negociatave nga Franca

Ndryshe, Kryeministri Zaev kishte konfirmuar se disa muaj para Samitit në Bruksel ka bërë përpjekje që të dakordojë një takim me Presidentin Macron, por nuk ka patur sukses. Megjithatë, ai është shprehur i kënaqur që do të realizohet një takim mes presidentëve Pendarovski e Macron.

“Besoj se do të jetë një mundësi e shkëlqyeshme që edhe një herë t’i prezantojmë qëndrimet e argumentet tona rreth kësaj çështje. Besoj se në të ardhmen edhe unë do të kem një mundësi të këtillë. Jam i lumtur që Presidenti Pendarovski do të realizojë takimin, e dini se edhe unë kam kërkuar një takim me të, besoj se takimi do të jetë një ndihmë për ne”.

Presidenti Pendarovski paralajmëroi se po bëhen përpjekje për një takim të këtillë të nivelit të lartë.

“Bëjmë përpjekje që nga dita e parë, menjëherë pas përfundimit të samitit të fundit të BE-së, të takohemi në nivel të lartë me republikën franceze dhe drejtpërdrejt edhe presidentin Makron edhe me njerëzit rreth tij, të shohim çfarë kërkojnë nga ne që të mund ta tejkalojmë këtë situatë të pakëndshme në të cilën kemi ardhur pa meritat tona”.

Presidenti Pendarovski në Paris do të qëndrojë më 11, 12 dhe 13 Nëntor, ndërsa në forumin në të cilin marrin pjesë më shumë se 30 shefa të shteteve dhe qeverive, fjalim pritet të mbajë më 12 Nëntor. Ky takim vjen pas dështimit në Samitin e Këshillit Evropian ku Macron ishte ndër kundërshtarët më të zëshëm kundër caktimit të datës për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Tv Klan