Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë në Bruksel për Euroactiv, kërkon që Maqedonia të mos trajtohet në bllok me Shqipërinë, por veçmas. Droja e tij është se kur Bundestagu të shqyrtojë çështjen, atëherë “pakoja dyshe” do të dëmtojë Maqedoninë. Pendarovski ka theksuar se shkëputja nuk është një gjë e mirë, por është e vetmja rrugë përpara.

“Problemi më i madh tani nuk është përjashtimi me Shqipërinë. Shqipëria tani është një rrëmujë. Opozita ka dalë jashtë institucioneve dhe vjen duke u tensionuar. Çfarë mund të themi në këtë rast? Kemi pasur rekomandime pozitive nga Komisioni edhe më parë dhe kemi qenë të përjashtuar edhe më parë”, tha Pendarovski.

Në vitin 2011, Malit të Zi iu hap rruga për të ecur përpara, ndërsa Maqedonia e Veriut u bllokua për shkak të vetos greke. Në vitin 2013 ishte Serbia asaj që iu hapën negociatat, ndërkaq Shkupi mbeti pas, pa marrë parasysh rekomandimin pozitiv.

“Ne jemi shkëputur njëherë nga Mali i Zi në vitin 2011 dhe Serbia në vitin 2013, të dy vendet kanë filluar negociatat, që është gjë e mirë, ndërsa ne na është dashur të presim, pavarësisht rekomandimit pozitiv.Para zgjedhjeve, ne në rajon kishim frikë se do të rritej numri i euroskeptikëve, por kjo nuk ndodhi. Një numër i madh i eurodeputetëve nuk e kundërshtuan zgjerimin. Në të dyja rastet, ishin lajme të mira për rajonin që u hapën negociatat. Por tani ne i kemi bërë detyrat e shtëpisë, kemi nënshkruar marrëveshje me Greqinë, që ishte një mrekulli politike”, tha ai.

Megjithatë, derisa vendi ti bashkohet NATO-s, në dhjetor, “ose më së voni në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, perspektivat e BE-së janë ende të paqarta. Liderët e BE-së janë të detyruar të thonë po ose jo rreth rekomandimit të Komisionit të Evropës për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe më Shqipërinë, shkruan Euroactiv.

Tv Klan