Tensionet zbresin në komisionet parlamentare

Ndaj 6 deputetëve që penguan zhvillimin normal të seancës plenare të ditës së hënë janë ndërmarrë masa disiplinore. Me kërkesë të 13 deputetëve socialistë sekretariati për procedurën, votimin dhe etikën ka vendosur të përjashtojë për 10 ditë nga punimet e parlamentit deputetët demokratë Gazmend Bardhi, Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, ndërsa për Saimir Korreshi 3 ditë, për Lefter Gështenjën është vendosur që të mos ketë asnjë masë.

Por demokratët u përpoqën të bllokojnë dhe mbledhjen e këtij Sekretariati. I pranishëm ishte dhe Sali Berisha. Të gjetur në pamundësi për të zhvilluar mbledhjen në sallën ku ishin të pranishëm pothuajse i gjithë grupi demokrat, socialistët i miratuan masat disiplinore në një tjetër sallë të Kuvendit. Kjo për Sali Berishën është shkelje ligjore ndaj ata s’do i njohin masat e dhëna.

E njëjta situatë u përsërit gjatë paradites dhe në Komisionin e Ligjeve, kur 3 nga deputetët për të cilët socialistët morën masën, u përplasen ashpër verbalisht me Kryetaren e Komisionit Bushka, pikërisht për kërkesën për përjashtim.

Saimir Korreshi: A jemi një m*t komision ligjesh apo çfarë jemi? Ti na ke njoftuar 12 minuta më përpara. Ke shkelur ligjin.

Klotilda Bushka: Këtë revanshin e ulërimës, e ndërprerjes, e gjuhës së urrejtjes, përdoreni atje ku ju ecën.

Ata penguan zhvillimin normal të komisionit i cili në këtë situatë kaotike miratoi projektligjin në rendin e ditës, duke e mbyllur mbledhjen që zgjati vetëm 9 minuta.

Tv Klan