“Akuzat për manipulim, të pabazuara në fakte”

Gjykata Federale e Pensilvanisë ka hedhur poshtë kërkesë-padinë e stafit të Donald Trumpit për moscertifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 3 Nëntorit në këtë shtet federal.

Gjykatësit e konsideruan kërkesën si të pabazuar në argumente ligjore dhe akuzat si të pambështetura në dëshmi. Në kërkesë-padinë e stafit të kandidatit republikan kërkohej bërja e pavlefshme e votave me postë, pasi konsiderohej e dyshimtë vlefshmëria ligjore e tyre.

Por në vendimin e gjykatës thuhet se kërkesa e pabazuar mbi fakte konkrete, nuk mund të justifikojë heqjen e të drejtës së votimit as për një votues të vetëm e as për gjithë votuesit e shtetit të gjashtë me popullsinë më të madhe në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët e Pensilvanisë mund të certifikojnë tashmë rezultatin e zgjedhjeve në këtë shtet federal, ku Joe Biden ka triumfuar me mbi 80 mijë vota ndaj Donald Trump-it. Pensilvania është një ndër 6 shtetet ku Trump synon përmbysjen e rezultatit në gjykatë përmes akuzave për manipulim zgjedhjesh. Joe Biden i ka të sigurta 306 vota në Kolegjin Zgjedhor për t’u zgjedhur president.

Tv Klan