Rama: Diskutimi vazhon, por kërkon impenjim serioz financiar

Çështja e pensioneve të emigrantëve vijon të diskutohet mes Shqipërisë dhe Greqisë megjithatë nuk është arritur në një marrëveshje. Kryeministri Edi Rama u shpreh se diskutimi me Greqinë dhe Italinë, ku ka edhe një prezencë të lartë të emigrantëve nuk është shumë i lehtë.

Rama u shpreh se mes palëve nuk mungon dëshira dhe angazhimi, por problemi qëndron në aspektin financiar. Megjithatë edhe për këtë çështje ai u shpreh se procesi do të vijojë në mënyrë që të zgjidhet.

“Diskutimi për pensionet është një diskutim që është i hapur, por e vërteta është që qoftë me Greqinë dhe Italinë ku është prania më e madhe e emigrantëve shqiptarë nuk është një diskutim i lehtë, jo sepse mungon dëshira apo angazhimi, por sepse bëhet fjalë për një zgjidhje që në aspektin financiar kërkon një impenjim serioz dhe për këtë arsye procesi i diskutimit vazhdon, padiskutim me shprehjen e vullnetit të mirë për ta zgjidhur këtë proces”, tha Rama.

Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë rënë dakord që të adresojnë të gjitha çështjet që kanë nevojë për t’u zgjidhur mes dy vendeve. Një ndër to është edhe çështja e detit, ku palët do t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare për ta zgjidhur. /tvklan.al