Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një bashkëbisedim me pensionistët, ku kritikoi nivelin aktual të pensioneve dhe premtoi rritje të ndjeshme brenda tre muajve nga ardhja në pushtet e PD-së.
Berisha garantoi se nëse PD fiton zgjedhjet, çdo pensionist do të marrë të paktën 200 euro pension minimal, duke u bazuar në llogaritjet e Avokatit të Popullit dhe Organizatës Ndërkombëtare të Punës.
Ndër të tjera Berisha shtoi se pensionet e tjera mbi 200 euro, do rriten me 20 përqind.
“Kemi vendosur nga buxheti i shtetit të marrim fondin dhe të vendosim për çdo shqiptar të rritur minimumin jetik 200 euro. Çfarë i intereson kjo pensionistëve? Të gjithë pensionistët dhe nuk janë pak, por janë dy të tretat e tyre, të cilët marrin nën 200 euro, tre muaj pas ardhjes në pushtet të PD, me buxhetin e parë, ata do marrin 200 euro. Çdo njëri prej tyre, 200 euro. Është e llogaritur nga Avokati i Popullit bashkë me Organizatën Ndërkombëtare të Punës, se për Shqipërinë, 200 euro i nxjerrin nga varfëria e skajshme.
Në 200 euro i bie 6.3 dollarë në ditë çka është minimumi, por minimumi jetik. Ndaj dhe ne do këpusim nyjën gordiane. Nuk po bëjmë asgjë tjetër, por atë që e kanë bërë të gjitha vendet që nuk duan që qytetarët e tyre të jetojnë në mjerim. Varfëria e skajshme është mjerim. Tani ne kemi vendosur t’i japim këtë përgjigje, do japim për çdo shqiptar që merr nën 200 euro, do marrë 200 euro. Pensionet e tjera mbi 200 euro, do rriten me 20 përqind. Qëllimi ynë është të dalim në krye të vendeve të rajonit për rrogat dhe pensionet. Pse të dalim? Jemi vendi më i pasur. Nuk ka asnjë vend tjetër përreth nesh që të ketë pasuritë tona”, shprehet Berisha.
Po ashtu Berisha sqaroi se nuk do të hyjnë më në Shqipëri ilaçe të pasigurta, pasi do rikthehet ligjin, që ndalonte tregtimin e ilaçeve që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE
“Do të zgjerojmë listën e rimbursimit të ilaçeve. Dy gjërat me ilaçet. U garantoj se ilaçe të pasigurta nuk do hyjnë në Shqipëri në mënyrë kategorike sepse do rikthejmë ligjin që kishin, që ndalonte tregtimin e ilaçeve që nuk tregtoheshin së paku në dy vende të BE. Ilaçet që tregtohen në BE kontrollohen nga enti i BE për ilaçet dhe janë të sigurta se e kanë lëndën aktive që vepron dhe nuk ka lëndë të tjera të rrezikshme. Ne rikthejmë këtë ligj në 100 ditët e para”, shprehet Berisha./tvklan.al