Hado: Është parashikuar edhe bonusi për Vitin e Ri

Indeksimi i pensioneve në masën 8.6% për mbi 767 mijë pensionistë do të reflektohet që më 1 Tetor. Sipas kreut të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado përfitues do të jenë edhe ata individë të cilët marrin pensionin për herë të parë.

“Duke filluar nga data 1 Tetor, të gjithë qytetarët shqiptarë që do të tërheqin këstin, do ta marrin të gjithë të indeksuar”.

Hado jep edhe shembuj se sa është rritja tek pagesa e muajve në vijim për këtë kategori.

“Nëse merrte 150 mijë Lekë të vjetra do të marrë 162”.

Edhe këtë vit në buxhetin e shtetit është parashikuar bonusi prej 5 mijë lekësh për festat e fundvitit.

“Do përgatitet vendimi në Nëntor dhe në 1 Dhjetor pensionistët bashkë me këstin mujor do marrin edhe bonusin”.

Kreu i ISSH-së foli edhe për marrëveshjet për njohjen e kontributeve me Italinë dhe Greqinë ku përfitues do të jenë mijëra shqiptarë.

“Nga pikëpamja teknike është çdo gjë e përfunduar. Tashmë është çështje e nënshkrimit nga qeveritë respektive. Bëhet fjalë për 530 mijë shqiptarë që kanë histori kontributive në të dy anët e kufirit. Me Greqinë jemi në fazën e diskutimeve teknike”.

Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore vendi ynë është në diskutime edhe me shumë shtete të tjera europiane për njohjen e kontributeve në vendet respektive.

Tv Klan