Pentagoni ka ndarë fondin e parë për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën. Bëhet fjalë për rreth 1 miliard dollarë nga fondet e emergjencës që do t’i jepen inxhinierëve ushtarakë për të nisur nga puna, sipas projektit të propozuar nga presidenti Donald Trump.

Fondi mjafton për ngritjen e njërit prej segmenteve të murit, që ka një gjatësi prej 91 kilometrash. Krahas murit paratë do të përdoren edhe për vendosjen e kamerave të monitorimit, ndriçimin dhe për shtrimin e rrugëve përgjatë tij për t’ia lehtësuar qarkullimin patrullave të policisë.

Projekti i mbështetur nga Presidenti Trump parashikon ngritjen e një muri mbi 800 kilometra të gjatë dhe 5 metra të lartë përgjatë kufirit jugor. Vlera totale arrin në 5.7 miliardë dollarë. Projekti synon të pengojë trafikun e drogës dhe refugjatët nga vendet e Amerikës Latine, por demokratët thonë se bëhet fjalë për shpenzime të tepruara.

Trump vendosi veton ndaj anulimit që i bëri Kongresi gjendjes së emergjencës të shpallur prej tij. Tashmë Kongresit do t’i duhen 2/3 për ta anuluar këtë vendim të Presidentit, por që ka pak gjasa të ndodhë.

Tv Klan