Më pak se 48 orë pas shpërthimit vdekjeprurës pranë aeroportit të Kabulit, forcat ushtarake amerikane u kundërpërgjigjën me një sulm me dron të premten ndaj degës afgane të Shtetit Islamik të njohur si Shteti Islamik Khorasan.

Një zyrtar i lartë i Pentagonit tha sot se sulmi amerikan vrau dy operativë të lartë të ISIS-K për të cilët ushtria beson se ishin përgjegjës për planifikimin e sulmit vdekjeprurës ndaj Shteteve të Bashkuara në Kabul. Një person i tretë ka mbetur i plagosur.

“Dimë që nuk ka viktima civile“, tha gjenerali William Taylor në konferencën për shtyp të Pentagonit.

ISIS-K ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin vdekjeprurës në perimetrin e aeroportit të Kabulit të enjten, në të cilin u vranë të paktën 170 afganë dhe 13 anëtarë të shërbimit amerikan.

Të premten, Ambasada Amerikane u bëri thirrje qytetarëve amerikanë që të qëndrojnë larg aeroportit të Kabulit për shkak të kërcënimeve të sigurisë dhe të largohen menjëherë nëse janë pranë ndonjë prej katër portave të aeroportit, sipas një deklarate në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të premten se zyrtarët amerikanë mendonin se një sulm tjetër terrorist në Kabul ishte “i mundshëm”.

Kërcënimet e sigurisë e kanë bërë më të vështirë evakuimin e amerikanëve dhe disa afganëve./VOA