Shkurtimisht kjo është historia e Racheal dhe Paddy Kirkwood. Ky çift është dëshmia se dashuria e vërtetë shfaqet atëherë kur nuk e pret.

Të dy kanë qenë nxënës në të njëjtin gjimnaz në Manchester, por ishin të ndrojtur për t’i folur njëri-tjetrit. Megjithatë, 34-vjeçarja i dërgonte letra anonime çdo vit për Shën Valentin. Pas shkollës, Rachael u zhvendos për në Zelandën e Re për dy vite. Por, më pas gjërat ndryshuan. Ishte viti 2015 kur jeta e tyre mori tjetër rrjedhë.

Më në fund, ajo mori guximin t’i shkruante në Facebook 35-vjeçarit duke i dërguar një mesazh. Ai u përgjigj menjëherë dhe takimi i tyre i parë ishte një javë më vonë. Që prej atij momenti gjithçka u zhvillua me shpejtësi. Rachael dhe Paddy blenë shtëpinë e tyre të parë së bashku vetëm dy javë më vonë pasi u takuan. Pak muaj më vonë u martuan dhe pas 9 muajsh ishin prindër të tre fëmijëve.

“Njerëzit mendonin se ishte shumë shpejt dhe më thanë që nuk do të zgjasë, por unë isha e sigurt që ne donim të ishim bashkë. Unë besoj në dashuri me shikim të parë. Më pëlqeu Paddy kur e pashë përsëri dhe ndjeva përsëri të njëjtën gjë pas kaq vitesh”

, thotë Rachael.

Ajo tregon si mori guximin për t’i shkruar në Facebook.

“Pashë në profilin e tij që kishte komentuar në postimin e një miku të përbashkët, pashë fotot e tij dhe mora guximin për t’i shkruar. I thashë ‘nuk ke ndryshuar aspak’. Nuk isha e sigurt nëse do të më mbante mend, sepse nuk flisnim kurrë. Por ai u përgjigj menjëherë duke më thënë ‘as ti nuk ke ndryshuar”.

Kaq mjaftonte që të dy t’i shprehnin ndjenjat njëri-tjetrit, të cilat druheshin t’i thonin kur ishin në gjimnaz. Paddy i propozoi për martesë në Paris të dashurës së tij të zemrës. Rachael dhe Paddy tani janë prindër të tre fëmijëve të mrekullueshëm.

/tvklan.al