“Për 38 vite jeta ime ka qenë një gënjeshtër”. Me këtë fjali, drejtuesi i programit “E Diela Shqiptare” në Tv Klan prezantoi në rubrikën “Ka Një Mesazh Për Ty”, Manjolën.
Vetëm në fund të rrëfimit të saj mund të kuptohej pesha e kësaj fjalie. Në fëmijëri dhe deri në moshën 18-19 vjeçare, Manjola kishte njohur dhunën e nënës. Martesa e parë qe veç zgjatim i kësaj dhune. Bashkëshorti i dytë me të cilin u martua për shkak të rrethanave të pafavorshme, e zhyti në borxhe.
E shkëputur edhe nga kjo martesë, ajo tashmë ka krijuar një jetë me dy djemtë e saj. Me kohën, Manjola mundi ta hapte sërish zemrën. Një kontakt përmes Instagram solli në jetën e saj Arturin, njeriun që la Anglinë për t’u vendosur krah saj në Itali. Familja e Arturit është kthyer në të tillë edhe për Manjolën, e cila ka gjetur te Flora dhe Lushi ngrohtësinë e munguar për 38 vite.
Manjola: Ba! Ma! Ju kam bërë këtë surprizë për t’ju falënderuar që më bëtë pjesë të familjes suaj, që më keni falur këtë dashuri që unë deri në 38 vite nuk e kam përjetuar siç po e përjetoj tani. Sa herë që flasim dhe më thua “zemër, a u lodhe, a ke ngrënë, a ke pushuar”, nuk kisha ndryshe sesi mund të falënderoja. Ju dua shumë!
Flora: Edhe ne të duam shumë! Shumë faleminderit moj Lola! Të duam si vajzën tonë! Me gjithë zemër, me gjithë shpirt!
Lush: Të falënderoj! Kënaqësia është e madhe! Edhe ngarkesa shpirtërore është e madhe për kujdesin që ke treguar, për çdo gjë!
Flora: Jemi mirënjohës shumë ndaj teje!/tvklan.al