Sipërmarrësi Elton Ilirjani ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes së mediave për opinionet e tij të thëna në mënyrë të drejtpërdrejtë në lidhje me kauzat ndaj komunitetit LGBTI. Mirëpo, dje i ftuar në programin “Rudina” në Tv Klan bëri deklarata të guximshme për transgjinorët dhe se si ndodhen ata në shoqërinë shqiptare.

“Ne kemi shumë raste që përfundojnë me probleme psikologjike, dhunohen vriten, bëhen punonjës seksi. Dhe kjo ndodh sepse ata nuk janë gati të bëhen transgjinorë. Këta janë transgjinorë mashkull në femër dhe s’mund të quhen thjesht femër”, u shpreh Ilirjani.


Elton Ilirjani gjykoi ashpër edhe gazetarinë shqiptare në mënyrën se si i trajton transgjinorët për disa klikime, show apo skupe lajmesh.


“Ajo që më bën përshtypje është që gazetaria nuk e vret fare mendjen  për pozicionin që ka komuniteti LGBTI për shoqërinë shqiptare . Ata thjesht dalin dhe bëjnë skupe e lajme. Nuk e vrasin mendjen se si një i vogël, një adoleshent shikon dikë që pretendon se është shtatzënë dhe është mashkull apo transgjinor. Gazetaria shqiptare duhet të jetë më e kujdesshme. Duhet t’i hapë rrugë komunitetit që të japë mendimet e veta, por duhet të zgjedhë shembujt e mirë. Jo shembujt më të këqij të komunitetit. Media duhet të ketë pak kujdes se kë paraqet, të bëjë një kontroll të figurës, të ketë një CV  të personit që sjell sepse mund të keqpërdoret dhe media në rastin më të mirë për gazetarët dhe në rastin më të keq për shoqërinë kur gazetari mund të lejojë dikë që ka një background shumë të keq, ka një rrethanë shumë  të keqe shoqërore, gënjen, mashtron. Dhe pastaj mund të thotë që unë nuk gënjeva por bëra një shaka. Këto janë gjëra që na dëmtojnë. Unë nuk kam asgjë personale me asnjë nga komuniteti LGBTI në Shqipëri, përkundrazi unë shpenzoj para në të mirë të tyre”, është shprehur ai..

Në fund të fjalës së tij në programin “Rudina”, Elton Ilirjani e mbyll me një mesazh : Mos merrni shembull prostitucionin!


“Dua ti drejtohem familjeve, nënave shqiptare dhe fëmijëve që ndjekin median. Të mos marrin shembuj prostitucionin. Nuk është shembull, është gabim. Do doja që rinia të fokusohej në punë. Të ketë një karrierë, të bëjë shkollën, të mos përdor drogë, të shkojë në punë dhe më pas të rritet gradualisht në karrierë dhe ti fitojë paratë me djersë. Nuk është para e ndershme dhe e mirë paraja e fituar në mënyrë të paligjshme”, ka përfunduar Elton Ilirjani.

Për cilin trans e kishte Eltoni këtë deklaratë? Në fakt këtu ka pak vend për dyshime. Po ju lëmë ta zbuloni vetë. /tvklan.al