Rama inspekton ndërtimet në Rrëshen, përfundojnë në Tetor 2021

Kryeministri Edi Rama ishte mëngjesin e kësaj të premteje në Rrëshen, në zonën e re ndërtimore, ku parashikohet të ndërtohen 35 banesa individuale me 6 pallate dhe 68 apartamente, për familjet e prekura nga tërmeti.

“Zonat e reja për zhvillim janë për hir të së vërtetës njësoj si rezortet turistike që jemi mësuar të shohim, si zhvillimet e blloqeve rezidenciale. Por ndryshimi i madh i rëndësishëm është që ato janë për ata që kanë mundësi t’i blejnë, këto janë për ata që nuk kanë mundësi t’i blejnë. Kështu që kjo është mënyra më e mirë për të dalë nga kriza e rëndë e fatkeqësisë natyrore, shumë më të fortë, të gjithë ata që u goditën. Dhe siç e kemi parë, u goditën më shumë ata që ishin më të dobët dhe që nëse ne do të ndiqnim formulën e ndjekur kudo në të gjitha vendet në këto raste me kredi të buta, do të ishte vërtetë një barrë e madhe për ta. Kështu që të gjitha do t’i marrin falas dhe do jenë shumë më të lehtësuar, me shtëpi shumë më të mira se ato që kishin. Sidomos për fëmijët do të jetë kalimi në një botë tjetër, në krahasim me aty ku deri para tërmetit ishin të detyruar nga fati të jetonin”, tha Rama gjatë inspektimit.

Këto ndërtime pritet të përfundojnë në Tetor 2021 bashkë me të gjithë infrastrukturën urbane./tvklan.al