Udhëtimi nëpër “timonin e kohës”, nga veturat klasike tek ato më modernet, nis me emisionin “0 Kilometër” në ekranin e Televizionit Klan. Një emision interesant dhe mjaft zbativës që tregon për gjithë të “çmendurit” pas makinave, por jo vetëm modelet më të fundit të makinave, në tregun automotiv shqiptar.

Me një moderim nga Edlira Baholli, “0 Kilometër” synon të bëhet një pikë referimi për të gjithë ata që kanë pasion për makinat, teknologjinë dhe inovacionin. Programi sjell një perspektivë të freskët dhe dinamike mbi botën e makinave, duke e shndërruar çdo episod në një aventurë mbi “katër rrota”.

“Ky që kam në dorë është një manual makine, për të cilin dyshoj se shumë prej jush kur blini një makinë të re, e lexoni. Ndaj sot të nisim një cikël programesh të ri, në Televizionin Klan, për t’iu informuar më shumë mbi risitë, markat, problematikat e tregut automotiv në Shqipëri”, ndan detaje moderatorja, Edlira Baholli.

“0 Kilometër” do të transmetohet çdo të dielë në orën 11:11 dhe synon të mbulojë një gamë të gjerë temash, nga historia e automobilizmit dhe teknologjitë që kanë formësuar industrinë, deri tek modelet më moderne që kanë revolucionarizuar mënyrën se si po lëvizim sot.

Përmes materialeve ekskluzive, intervistave me ekspertë dhe prezantimeve të veçanta të makinave më moderne, emisioni synon të të mbajë të “gozhduar” pas ekranit, duke soditur dhe pse jo mësuar më shumë për makinën tuaj të preferuar, ose atë të ëndrrave./tvklan.al