Për Lirien, Amerika e 51 viteve më parë nuk ishte fillimisht toka e ëndërruar. Pasi u largua nga Prespa në moshën 17-vjeçare, në SHBA pa një realitet ndryshe, ku nuk po e gjente dot veten e madje kaloi në depresion. Por siç tregoi në rubrikën “Ka Një Mesazh për Ty” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan, ngadalë, jeta nisi të merrte rrjedhën e saj.

Fillimisht punonte në restorantin familjar duke rritur aty edhe fëmijët, më pas iu përkushtua një pune si agjente e pasurive të patundshme. Nga një zyrë e vogël ku punonte me të shoqin e dy vajza, arritën të ngrinin një perandori të vërtetë.

Njëkohësisht, Liria iu përkushtua njerëzve duke gjetur mënyra për t’i ndihmuar. Atë vetë, që prej momentit që u gjend në Amerikë, e ndihmoi nusja e hallës së bashkëshortit, Zymja. Prej saj, Liria arriti të kapërcente të gjitha momentet e vështira ndaj arsyeja e ardhjes në program është pikërisht dëshira për t’ia kthyer sadopak të mirat.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi që ajo e la Amerikën dhe u kthye në Prespë?

Lirie: Djali i saj u përplas me një sëmundje të keqe, por nuk e përballoi dot, ai ndërroi jetë vjet.

Ardit Gjebrea: Sëmundjen.

Lirie: Po, ishte sëmundje shumë e keqe.

Ardit Gjebrea: Dhe u nda nga jeta.

Lirie: Po, u nda nga jeta djali, ka një vit. Ajo ka ardhur në Prespë, nuk i rrihet atje më shumë.

Ardit Gjebrea: Pra, ajo e lidhi Amerikën me këtë fatkeqësi të djalit dhe u kthye në Prespë.

Lirie: U kthye në Prespë. Edhe unë atë nuk e kam parë qëkur ka ikur nga Amerika, por ajo grua për mua e meriton çdo gjësend. Jo veç për mua e për familjen time, por edhe për familjen e saj, por të gjithëve, për çdo gjë na ka qëndruar në këmbë. Bëj dasmat e vajzavee unë, ajo këtu, “ç’të duhet,  ti mos u mërzit, ti shko bëj lekë, ti këtu, ne ta mbajmë shtëpinë”. Thosha unë po mirë, kjo gjë është e mirë, unë shkoj në punë, ju më mbani shtëpinë. Është një grua shumë e çiltër, shumë e gjindshme që mund të them lirisht, jo Prespa, por s’gjenden gra të tilla më shumë. Eshtë si fabrikë e fundit dhe unë për të kam një respekt shumë të madh./tvklan.al