Maqedoni: 46 raste të reja, në total 663 të prekur

Mbi 30 pacientë të sëmurë nga virusi korona në vend për momentin janë në gjendje të rëndë, ndërsa 7 prej tyre në gjendje kritike, në aparate respiratore.

Te pjesa tjetër pasqyra klinike është stabile dhe e lehtë, në mesin e të cilëve është nëna me foshnjën katërmuajshe nga Koçani, të sëmurë me Covid-19.

Me këtë shkallë të përhapjes së sëmundjes, gjatë së cilës shqetësues është fakti që një e gjashta ose një e pesta e rasteve të regjistruara janë infektuar nga njerëz bartës të virusit, por pa simptoma, autoritetet shëndetësore edhe më tej kulminacionin e sëmundjes e presin në fund të muajit Prill.

Për herë të parë, ministri i Shëndetësisë sot u shpreh për planet për relaksim të masave për lëvizje të kufizuar, por pasi të kalojë më e keqja. 

“Në këtë drejtim në periudhën që vjen nga java e ardhshme do të fillojmë komunikim intensiv me Odat ekonomike, të cilave nga ana jonë, nga ana e Komisionit për sëmundje infektive, do t’u jepen udhëzime të qarta – operatorëve ekonomikë në kapacitetet prodhuese, restoranteve, si duhet ta organizojnë procesin e tyre të punës, që kur të vendoset se ka ardhur momenti që të hiqen këto restriksione, i gjithë procesi gradualisht të kthehet në normalitet”, tha ministri 

Deri atëherë, që do të thotë edhe gjatë festës së Pashkëve dhe muajit të Ramazanit, vazhdojnë të vlejnë masat rigoroze për të cilat Filipçe shpreson se do t’i japin fund përhapjes së virusit. 

“Tani është jashtëzakonisht e rëndësishme të respektohen të gjitha masat, se siç po kalojnë këto ditë me restriksione serioze të lëvizjes, ne jemi më afër qëllimit, ta ndalojmë përhapjen e virusit dhe ta ruajmë shëndetin tonë. Mendoj se e kemi amortizuar goditjen ndaj sistemit shëndetësor.” 

Pasi që ndërroi jetë i burgosuri në burgun e Shutkës, për të cilin pas obduksionit është vërtetuar se ka pasur virusin korona, Filipçe informoi se gjendja analizohet dhe izolohen personat me të cilët ka kontaktuar.

Klan Macedonia