Pasarelat pranverë-verë 2025 e bënë të qartë: luksi ‘ulëritës’ do të vazhdojë të jetë i pranishëm këtë vit.  Aksesorët e dukshëm, sidomos bizhuteritë me formë e materiale të ndryshme janë kthyer në fokusin e stilistëve dhe markave të modës.

Trendet kanë natyrë ciklike, por ato që do të shohim ngado këtë vit modernizojnë bizhuteritë e vjetra. Varëset e famshme të trasha tashmë janë kthyer në rripa që mund të përdridhen në forma interesante.

Perlat, spilat dhe fjongot janë kthyer në aksesorë që shndërrojnë edhe veshjet më të thjeshta. Vëmendjen më të madhe e kanë marrë aksesorët që duken si të shkrirë dhe marrin forma nga më të ndryshmet. Për të kuptuar më mirë se çfarë duhet të shtoni në kutinë tuaj të bizhuterive, po ju rendisim trendet e vitit. 

Perlat

Jemi mësuar me perlat e zakonshme, të formësuara por ‘simotra’ e saj më luksoze është ajo natyralja, e papërpunuar. Një nga idetë më virale ka qenë unaza e përdorur nga Rihanna që ndërthurte diamantet dhe një perlë gjigante.

Fjongo

Trendi i koketës do të vazhdojë të shihet ngado ndaj nuk është surprizë që përfshin edhe bizhuteritë. Në këtë sektor, fjongot mund të jenë edhe metalike apo me gurë xixëllues.

Transparente

Chanel e Diesel i kanë preferuar shumë bizhuteritë transparente që duken sa të vjetra, aq edhe futuriste. Sa më të mëdha dhe me formë, aq më mirë për të shfaqur një stil ndryshe.

‘Të shkrira’

Bizhuteritë që duken si të shkrira janë më interesante sesa vathët e zakonshëm apo byzylykët e thjeshtë. Chanel është një nga shtëpitë e modës që e ka përqafuar dhe jo pa të drejtë sepse këta aksesorë duken si vepra arti, edhe pse mund të kushtojnë fare pak.

Rrip

Një trend i vjetër por i rikthyer me shumë stil. Hajmalitë tuaja të argjendit duken më të sofistikuara, madje mund t’i vendosni si ‘choker’ apo të radhisni disa varëse në formë zinxhiri mbi to.

Spila

Spilat janë një nga më të preferuarat e këtij sezoni, madje as djemtë s’i kanë rezistuar këtij trendi. Yje si Jeff Goldblum dhe Adrien Brody i vendosën në Golden Globes 2025. Në fakt, nuk do ju duhet as të shpenzoni, mjafton t’ia merrni hua gjyshes apo mamasë dhe xhaketa juaj do duket ndryshe.

/tvklan.al