Për disa prindër është shumë e vështirë të pranojnë faktin se fëmija i tyre ka pëlqim, ose ndjenja për dikë tjetër. Të tilla raste kanë treguar se ndjesia e mbrojtjes dhe kujdesit ndaj fëmijës dominon aq shumë, saqë hera-herës humbet arsyen dhe dashur pa dashur shtyn në gabim.
Si të tillë mund ta cilësojmë edhe rastin e psikologes Doklea Hadërgjonaj. Në emisionin “Shije Shtëpie” në Tv Klan ajo tregon se është tronditur kur vajza e saj, në atë kohë në klasën e pestë, i tha se kishte pëlqim për një djalë. Reagimi i psikologes, duke mos e lejuar që ta vazhdonte më tej, bëri që vajza e saj të injoronte “fluturat në stomak” dhe të shmangte çdo pëlqim, apo lidhje.
Sot e penduar, Doklea Hadërgjonaj shprehet se është treguar e ashpër më shumë se sa duhet me vajzën e saj. Frika për të mos e lejuar që të lëndohej nga të tjerët, bëri që ta lëndonte vetë atë.
“Mua më vjen shumë keq sepse kam qenë shumë e rreptë me vajzën. Kam qenë shumë e rreptë, sepse asaj i kam kufizuar shumë gjëra që djalit nuk ia kam kufizuar. Ta them sinqerisht. Më kujtohet tani bisedat e crush-it, ma kujtoi vajza para pak kohësh. ‘Të kujtohet mami kur kam qenë në klasë’, më tha. Kujtoj, kur unë e mora vesh u preva, mu duk e pabesueshme.
I thashë ‘jo nuk do të vazhdosh më’, kaq. Ajo vazhdoi normalisht dhe më mbrapa më tregoi që është ndjerë jashtëzakonisht shumë keq dhe që atëherë ajo ka shmangur çdo marrëdhënie të mundshme, çdo lidhje dhe çdo pëlqim me dikë, vetëm që të mos më mërziste mua. Kur ma ka thënë këtë jam tronditur. Duke dashur që ta mbroja atë nga lëndimet e kisha lënduar akoma më shumë”, tregoi psikologia./tvklan.al