Përballja mes Francës dhe Belgjikës do të jetë edhe një moment analize për klubet europiane. Në fushë do të zbresin disa nga lojtarët më të mirë në Europë dhe respektivisht edhe më të shtrenjtë.

Vetëm gjashtë prej tyre kushtojnë një miliard euro. Kilyan Mbappe, Antoine Griezmann dhe Paul Pogba të Francës do të jenë përballë Eden Hazard, Romelu Lukaku dhe Kevin de Bryne të Belgjikës. Mbappe u ble verën e kaluar për 180 milionë, por pasi shkëlqeu me Argjentinën, vlera e tij në merkaton e futbollistëve për momentin mund të arrijë deri në 500 milionë euro dhe është vetëm 19 vjeç. Pogba, i kushtoi Manchester Unaited 120 milionë. Kualifikimi i Francës për në gjysmëfinale, dhe mundësisht një sukses edhe ndaj Belgjikës do ta rrisin ndjeshëm vlerën e tij.

4 golat e shënuar nga Romelu Lukaku, e kanë bërë atë një nga sulmuesit më të shtrenjtë në botë. 25-vjeçari i Manchester, është në listën e golashënuesve më të mirë të botërorit. Kevin De Bryne, është lojtar që mund të mbulojë çdo pozicion në mesfushë dhe sulm. Sipas ekspertëve të merkatos çmimi i kartonit të tij mund të arrijë në 200 milionë.

Eden Hazard është në fund të kontratës së tij me Chelsean dhe klubet që do ta kërkojnë do të përpiqen t’i ulin çmimin, po nuk mund t’i ulin vlerat si lojtar. Në kuotën e 100 milionëve janë sot N’Golo Kante, Rafael Varane dhe Samuel Umtiti, megjithëse klauzola e shitjes për këtë të të fundit arrin në 500 milionë euro. Në total ekipi francez kushton 1 miliard e 40 milionë euro ndërsa ai belg 695 milionë. Në fund do të fitojë jo ajo skuadër që vlen më shumë,por ajo që shënon një gol më tepër.

Tv Klan