Shkak votimet kundër në Parlamentin Europian

Përçarja në votimin e Presidentes së re të Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka futur në krizë koalicionin qeverisë së Itali. Shkak është bërë vota kundër nga ana e Lega Nord, forcës së ministrit të Brendshëm Mateo Salvini, në një kohë kur aleatët në qeveri, Lëvizja 5 Yjet votuan pro kandidaturës së gjermanes.

Kryeministri Giusepe Konte paralajmëroi se vota e Lega Nord, mund t’i kushtojë Italisë kolltukun e Komisionit të Ekonomisë në Bruksel, që i ishte premtuar italianëve. Përplasja mes dy partive të mëdha të koalicionit ishte e fortë. Mateo Salvini akuzoi Lëvizjen 5 Yjet se tradhtoi vendin për interesa të ngushta.

“Mund të ishte rasti ynë i mirë për ndryshimin historik të Europës, por dikush preferoi kolltukun. Kush flet për transparencë dhe demokraci duhet të ketë edhe dinjitet. Si mund të votosh me Renzin, Merkelin dhe Makronin për disa kolltukë në Europë?”

E menjëhershme ishte përgjigja e Luigi di Maios.

“Ky është falsitet dhe një sulm i rëndë të cilin unë nuk mund ta lejoj. Unë bëra një kontratë qeverie duke e ditur që nuk ishim të njëjtë, që kemi diferenca. Por çështja e presidentes Von Der Leyen nuk mund të përdoret për të sulmuar Lëvizjen 5 Yjet.”

Di Maio ka akuzuar gjithashtu aleatin në qeveri se po ngre këtë tymnajë për të mbuluar skandalin mbi fondet e paligjshme ruse. Nga ana tjetër, ish-Kryeministri Matteo Renzi nga PD ftoi palët të vijnë të përballen në parlament ose të thërrasin zgjedhjet e parakohshme.

Tv Klan