Kualifikohen Tirana, Teuta dhe Kukësi

Tirana, Teuta dhe Kukësi janë kualifikuar në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë barazuan 1-1 në ndeshjen e kthimit me Besëlidhjen të mërkurën në Lezhë. Trajneri Emanuel Egbo aktivizoi disa lojtarë të stolit, ndërsa goli i Ernest Muçit në minutat e fundit shpëtoi Tiranën nga humbja, që gjithsesi nuk do të ndikonte, pasi përballja e parë çerekfinale u mbyll me fitoren 5-1 të skuadrës kryeqytetase.

Teuta kaloi më tej me suksesin 1-0 ndaj Vllaznisë në Durrës. Goli i kapitenit Renato Arapi vendosi ndeshjen, ndërsa përballja në Shkodër ishte mbyllur në barazim 2-2. Më herët 11-metërshi i Sherif Kallakut u prit nga Alen Sherri, ndërsa shkodranët luajtën me 10 futbollistë prej fillimit të pjesës së dytë për shkak të një kartoni të kuq. Kukësi shkoi më tej duke fituar edhe takimin e dytë me Apoloninë, por me rezultatin 3-1.

Tv Klan