Laçi, Teuta, Vllaznia dhe Skënderbeu do të diskutojnë trofeun e dytë të futbollit shqiptar.

Laçi eliminoi Partizanin vetëm pas gjuajtjeve të penalltive, pasi koha e rregullt dhe shtesa prej 30 minutash përfundoi në barazim pa gola. Portieri Sherri priti dy gjuajtje dhe u bë heroi i Laçit. Partizani tashmë do të përqendrojë forcat në kampionat.

Teuta fitoi 1-0 ndaj Kukësit në Durrës. Golin e vetëm e realizoi Emiljano Vila që në minutën e 10-të të takimit. Durrsakët e mbrojtën më pas fort fitoren deri në fund. Teuta do të vijojë të luftojë në të dy frontet, ndërsa Kukësi pas 10 vitesh duket se do të mbetet pa luajtur në Europë, pasi edhe përmes kampionatit duket e pamundur.

U bënë gjashtë ndeshje pa fitore për verilindorët, me 3 humbje dhe 3 barazime.

Po 1-0 fitoi edhe Vllaznia në shtëpi. Shkodranët, pas 5 ndeshjeve pa fitore në kampionat, u kthyen te suksesi, duke mposhtur Korabin në Loro Boriçi. Një fitore morali për kuqeblutë, që vijojnë të kërkojnë maksimumin në të dy frontet. Golin e vetëm të ndeshjes e shënoi Kruja në minutën e 15-të.

Ndërsa Skënderbeu fitoi 3-1 në “Selman Stërmasi” ndaj Dinamos dhe plotëson katërshen e skuadrave gjysmëfinaliste.

Klan News