Faza çerekfinale e Kupës së Shqipërisë do të ketë vetëm ekipe të Superligës. Ndeshjet e luajtura këtë të mërkurë vendosën skuadrat e kualifikuara. Tirana kaloi më tej, edhe pse u mund 1-0 nga Flamurtari në Vlorë. Sfida e parë e luajtur në kryeqytet kishte përfunduar me fitoren 2-0 të bardhebluve.

Tirana luajti pjesën dërrmuese të takimit me 10 futbollistë, pasi Grent Halili u përjashtua me karton të kuq në minutën e 17’. Vlonjatët pretenduan edhe për një 11-metërsh. Në turin tjetër u kualifikua Partizani, që mundi edhe në takimin e dytë Kastriotin, por me rezultatin 3-0. Fitoren më të thellë e arriti Teuta, 4-0 ndaj Lushnjes. Laçi përmbysi humbjen 2-0 të takimit të parë me Bylisin.

Kurbinasit fituan 3-0 në shtëpi. Në fazën çerekfinale janë edhe Skënderbeu, që fitoi 3-0 Besëlidhjen dhe Kukësi që mundi me rezultatin 2-0 Apoloninë. Garën do ta vijojnë edhe Kamza dhe Luftëtari. Ndeshjet do të luhen muajin e ardhshëm ku veçohet përballja Kukësi-Teuta.

Tv Klan