Maska e detyrueshme, distance 1.5 m për komisionierët

Të dielën shqiptarët do i drejtohen qendrave të votimit për zgjedhjet e parlamentare. Por për shkak të pandemisë Instituti i Shëndetit Publik dhe Ministria e Shëndetësisë kanë miratuar një protokoll lidhur me masat anti-Covid gjatë procesit të votimit dhe ditës së zgjedhjeve.

Në protokollin e masave anti-Covid të siguruar nga Tv Klan janë përcaktuar masat si për votuesit, ashtu edhe për komisionierët dhe vëzhguesit. Në të gjitha rastet është e detyrueshme të mbahet maska.

Sallat ku do të kryhet procesi i votimit duhet të jenë në katin e parë të çdo ndërtese dhe të pajisura me dritare për ajrosje. Po ashtu në hyrje të qendrës së votimit duhet të ketë dezinfektantë për duart. Kutitë e votimit duhet të vendosën 2 m larg nga vendqëndrimi i anëtarëve të komisionit, po kështu dhe dhomat e fshehta nga njëra-tjetra.

Sipas protokollit të miratuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe që i është dërguar KQZ, ambientet e qendrave të votimit duhet të dezinfektohen një ditë para procesit të votimit si edhe gjatë procesit në interval të caktuara.

Në hyrje të qendrave do të jetë një person i cili do të kontrollojë qytetarët për zbatimin e masave anti-Covid. Po ashtu anëtarët e komisionit të qendrave të votimit duhet të qëndrojnë 1.5 m larg njëri-tjetrit dhe do të plotësojnë një formular vetëdeklarimi se nuk kanë shenja të Covid.

Tv Klan