Familjarët dhe të afërmit i kanë dhënë lamtumirën e fundit 20-vjeçares Caroline Crouch, e cila u vra në mënyrë brutale këtë javë në Athinë pas një grabitje në shtëpinë e saj. Ajo u varros në një ishull grek, aty ku ishte rritur. Në varrimin e të resë ishin mes të tjerëve edhe bashkëshorti i saj, Babis Anagnostopoulos dhe vajza 11 muajshe, e cila ka mbetur pa nënë pas vrasjes makabre.

“Isha shumë me fat që njoha Caroline-n dhe që ajo më donte. Isha me fat për momentet që ndamë së bashku. Ajo që më trishton më shumë se vdekja e saj është fakti se vajza jonë do të rritet pa kujtuar nënën e saj të bukur e cila ishte gëzimi i jetës sime. Por përmes vajzës, Caroline do të jetë gjithmonë me mua dhe me të gjithë ju. Duhet që të kujdeseni për njerëzit që doni dhe të shijoni kohën që kaloni me ta”, tha Babis mes lotësh.

Bashkëshorti i të ndjerës mbajti gjatë gjithë funeralit në krahë vajzën Lydia, e cila la në arkivolin e së ëmës një lule. Një moment që i emocionoi të gjithë. I tërë ishulli mbajti zi gjatë varrimit të së resë. Bizneset ulën qepenat në shenjë respekti.

Caroline Crouch u vra të martën pas një grabitje në shtëpinë e saj. Ajo u mbyt pasi grabitësit e lidhën dhe e torturuan. Hajdutët lidhën edhe bashkëshortin e saj, por ai mundi të shpëtojë. Sipas asaj që shkruajnë mediat, ai humbi ndjenjat për shkak të mungesës së oksigjenit dhe banditët kanë menduar se edhe ai ka vdekur. Megjithatë një vrimë e vogël në ngjitësen që i kishin vënë në sy, bëri të mundur që ai të lëvizte dhe të kërkonte ndihmën e policisë.

Deri më tani, hetuesit nuk kanë nxjerrë gjë në dritë në lidhje me grabitjen që shkaktoi vrasjen e Caroline-s në Glyka Nera. Detektivët janë vënë në kërkim të autorëve. Ata mendojnë se grabitësit kanë marrë informacione nga një person që njihte Caroline-n ose Babis-in për sendet me vlerë që kishin në shtëpi. Hetuesit shpresojnë që Babis të kujtojë ndonjë detaj nga ngjarja, që do t’i drejtojë ata drejt autorëve. Policia beson se banda ka survejuar për disa ditë shtëpinë e çiftit.

Daily Mail, duke cituar gazetën greke Protothema, ka thënë se një nga pistat e hetimit është se një grup kriminal shqiptar, i cili ka brenda vetes edhe grekë si dhe shtetas të kombeve të tjera dyshohet të fshihet pas vrasjes makabre të nënës britanike. Ky grup dyshohet se bazën e ka në periferinë e kryeqytetit grek dhe është përgjegjës për një seri grabitjesh të dhunshme të cilat kanë përfunduar me torturë dhe dhunë ndaj pronarëve të shtëpive.

Sipas policisë, banda përbëhet nga disa anëtarë të ndryshëm të cilët kanë bërë të mundur shmangien e rrugicave ku ka kamera sigurie. Ditën e sotme pritet që të dalin rezultatet e ADN-së që janë përftuar nga lëkura e viktimës.

Autoritetet kanë identifikuar 3 grabitje të ngjashme si ajo në Glyka Nera. Në të tri rastet hajdutët kanë hyrë nga dritarja dhe kanë përdorur dhunë ndaj viktimave. Oficerët që shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes kanë treguar një detaj shokues. Vajza e viktimës është gjetur pranë trupit të nënës dhe mundohej që ta zgjonte. Policia thotë se gjithsej janë 300 anëtarë bandash kriminale që po hetohen për këtë ngjarje të rëndë. /tvklan.al