U shua të dielën si pasojë e leuçemisë

Në orën 14:30 të kësaj të mërkure do të përcillet për në banesën e fundit Enea Hyseni, 10-vjeçari me origjinë shqiptare, i cili u shua të dielën si pasojë e leuçemisë. Shërbimi funeral do të mbahet në kishën e Roccavione, në Cuneo të Italisë fqinje.

Enea ndodhej i shtruar në një spital të Torinos që prej fundit të Dhjetorit të vitit që lamë pas. Gjendja e tij mësohet se u përkeqësua papritur. Sipas mediave fqinje, ai ishte në klasë të pestë, në institutin Sebastiano Grandis.

Në funeral mësohet se do të marrin pjesë shokët e shoqet e tij të klasës, si dhe bashkëmoshatarë të shoqëruar nga mësueset. Humbja e të voglit ka tronditur komunitetin në Borgo dhe Roccavione, ku Enea jetonte me familjen e tij, prindërit dhe vëllain 15-vjeçar./tvklan.al