Bashkia e qytetit Kyparissia në Greqi ka vendosur tre ditë zie për vogëlushët që humbën jetën në aksidentin e rëndë që ndodhi më 19 Nëntor.

Mes viktimave është edhe 15-vjeçari shqiptar Enriko Buzani, i cili u përcoll ditën e sotme për në banesën e fundit.

Me trëndafila të bardhë dhe mes lotësh, në ceremoninë mortore morën pjesë familjarë, miq, shokë të klasës dhe banorë të komunitetit. Ndërsa dy adoleshentët e tjerë, Niko Trialona dhe Kristo Mertai u përcollën për në banesën e fundit një ditë më parë.

Tre shokët e klasës udhëtonin me makinë kur u përplasën me një mjet tjetër dhe humbën jetën për shkak të dëmtimeve të rënda. Sipas mediave greke, 15-vjeçari Buzani kishte marrë pa leje makinën e të atit dhe kishte dalë xhiro me miqtë e tij.

Të tre adoleshentët ishin lojtarë të klubit të futbollit ‘Kyparissia’ dhe konsideroheshin talente. Familjet e tyre jetojnë prej vitesh në Greqi dhe gëzojnë respektin e komunitetit ku banojnë.

/tvklan.al