Kjo video me fjalë denigruese të përdorura nga një 10-vjeçar në rrjetin social TikTok, ka çuar në pranga të atin dhe gjyshen e tij. Bëhet fjalë për Armando Kumarakun dhe Natasha Rombulën të cilët u arrestuan nga policia pasi akuzohen se kanë përdorur 10-vjeçarin për të përfituar para në rrjetin social TikTok.

Video e cila çoi pas hekurave të moshuarën dhe djalin e saj është depozituar në policinë e Kuçovës nga nëna e të miturit.

Në të shfaqet djali i saj 10-vjeçar, ish-bashkëshorti dhe nëna e tij teksa komunikojnë me dy persona të tjerë në një video live në TikTok dhe ku i mituri përdor fjalë banale dhe denigruese.

Menjëherë pas denoncimit policia nisi hetimet dhe pas 2 muajsh verifikime rezultoi se fëmija 10-vjeçar ekspozohej në adresat e TikTok të babait dhe gjyshes së tij, të cilët kishin të drejtën e kujdestarisë.

Nënë e bir, Natasha Rombula dhe Armando Kumaraku, përkatësisht 67 dhe 44 vjeç u vunë në pranga në qytetin e Sarandës dhe u dërguan më pas në komisariatin e Kuçovës.

Ndaj tyre rëndon akuza e shfrytëzimit të të miturve, vepër për të cilën Kodi Penal parashikon një dënim nga 2 deri në 5 vite.

Tv Klan