Përdoruesit e TikTok janë shprehur për BBC se një filtër viral që i bën njerëzit të duken mbipeshë duhet të hiqet nga platforma.
“Filtri topolak” është një mjet i Inteligjencës Artificiale i cili përmes fotos së personit, modifikon pamjen duke e bërë që të duket sikur ka shtuar peshë.
Shumë njerëz kanë shpërndarë fotot para dhe pas duke bërë shaka me faktin sesa ndryshe duken, por të tjerët thonë se eshtë një formë “bullizimi fizik” dhe nuk duhet të lejohet. Ekspertët kanë paralajmëruar se filtri mund të nisë “kulturën e dietës toksike” dhe të krijojë hapësira për çrregullimet e të ngrënit.
Sadie, një influencer me 66 mijë ndjekës në platformë, është një prej përdorueseve që ka shprehur qëndrim kundër trendit. Ajo thotë se shumë vajza e kanë kontaktuar duke i thënë që kanë fshirë apliakcionin sepse trendi i bënte të ndiheshin keq për veten.

Emma Becket, një nutricioniste tha se është “një hap i madh pas” për stigmën e peshës. “Janë gjithnjë të njëjtat stereotipe false sikur personat trupmëdhenj janë më dembelë dhe me defekte, si dhe diçka që duhet shmangur dëshpërimisht”. Ajo shton se frika e kilogramëve mund të shkaktojë që “njerëzit të fiksohen me ushqimin dhe të ushtrohen në mënyrë të pashëndetshme duke i bërë të cenueshëm nga produktet mashtruese dhe dietat drastike”.
“Kjo presionon njerëzit që të përshtaten me standardet e ngushta të bukurisë dhe shëndetit sesa të gjejnë se çfarë funksionon më së miri për ta, çka shkakton dëm ndaj kujtdo si në shëndetin fizik, ashtu edhe mendor”.
Filtrat që përdorin Inteligjencën Artificiale për të ndryshuar pamjen janë shumë të përhapur në TikTok.
Shumë prej tyre janë të padëmshëm, për shembull një prej tyre e bën përdoruesin të duket sikur është krijuar nga Lego.
Shpesh filtrat dizenjohen nga persona që nuk kanë lidhje me platformën, siç duket në rastin e “filtrit topolak”. Disa nga videot me filtrin e famshëm janë klikuar e pëlqyer mijëra herë./tvklan.al