Ndëshkim për uljen me forcë të avionit të Ryanair

Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Britania dhe Kanadaja bashkuan forcat të hënën për të vënë sanksione ndaj disa zyrtarëve të lartë të Bjellorusisë për uljen me forcë të një avioni të Ryanair me qëllim arrestimin e një gazetari disident.

Sanksionet përfshijnë ngrirje të pasurive dhe ndalim-udhëtimi kundër autoriteteve bjelloruse. “Jemi të bashkuar në shprehjen e shqetësimeve tona të thella lidhur me sulmet e vazhdueshme që ushtron regjimi i Lukashenkos mbi të drejtat e njeriut, liritë themelore dhe ligjin ndërkombëtar,” thanë katër përfaqësuesit përmes një deklarate të përbashkët.

Ne jemi të angazhuar të mbështesim aspiratat demokratike të popullit bjellorus dhe qëndrojmë të bashkuar në masat ndëshkuese ndaj këtij regjimi për mospërfillje të hapur ndaj përgjegjësive ndërkombëtare,” thuhej më tej në deklaratë.

BE ka veçuar shtatë individë dhe një subjekt për “ulje n e detyruar dhe të paligjshme” të avionit të linjës Ryanair, i cili udhëtonte nga Greqia në Lituani, kur u urdhërua të zbriste në Minsk, siç u kuptua më pas me qëllim që autoritetet bjelloruse të arrestonin një nga pasagjerët, gazetarin disident Roman Protasevich.

BE, SHBA, Britania dhe Kanadaja i bënë thirrje Minskut të bashkëpunojë me hetimet ndërkombëtare lidhur me këtë incident, të lirojë menjëherë të gjithë të burgosurit politikë dhe të “fillojë një dialog të gjerë dhe të pastër politik” me opozitën dhe shoqërinë civile.

Në shënjestër të Shteteve të Bashkuara janë bashkëpunëtorë të afërt të zotit Lukashenko, individë që akuzohen se kishin rol në shtypjen e egër të protestave paqësore vjet dhe të tjerë që lidhen me manipulimin e zgjedhjeve.

Ndërkaq, në takimin e tyre të hënën në Luksenburg, ministrat e jashtëm të BE-së përgatitën një seri masash ekonomike që synojnë të godasin zotin Lukashenko dhe aleatët e tij. Këto masa do të diskutohen nga udhëheqësit e BE-së në takimin e tyre të enjten në Bruksel.

Klan News