Përfaqësuesja e Kosovës në karate, e cila mëngjesin e sotëm u nis për në Novi Sad, nuk u lejua të hyjë në territorin e Serbisë.

Kryetari i Federatës së Karatesë, Ismet Kraniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se në pikën kufitare të Merdares, përfaqësueses së Kosovës iu tha se është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë që asaj të mos i lejohet hyrja në Serbi.

“Unë dhe sekretari i përgjithshëm jemi nisur mbrëmë rreth orës 21:00. Kemi pritur deri në orën 01:00 dhe në fund nuk jemi lejuar të hyjmë në Serbi. Përsëri jemi nisur në orën 05:00 të mëngjesit, me autobus dhe me sportistët tanë, dhe përsëri jemi kthyer, me arsyetimin se ky është vendim i Ministrisë së Brendshme të Serbisë”,

tha Krasniqi, duke shtuar se në pikën kufitare ka pasur prani të madhe të policisë dhe xhandarmërisë serbe.

Krasniqi tha se ky vendim është i papranueshëm dhe se pret reagimin e Federatës Evropiane të Karatesë.

Paraprakisht, ekipi ka vendosur të marrë pjesë në garë vetëm me simbole shtetërore të Kosovës, ndërsa Serbia ka thënë se Kosova do të konkurrojë nën flamurin e Federatës Evropiane./REL