Mbrëmjen e sotme në “Stop” u trajtua rasti i Andrea Kostarista nga Tirana, i cili pas një problemi shëndetësor ka përfituar marrjen e një kempi që prej 13 Nëntor 2019.

Problemi që ka shqetësuar Andrean është fakti se ai nuk mund të marrë kempin që i është caktuar, prej 33 mijë lekë të vjetra, nga momenti që ka dalë në pension si invalid, por… nga momenti që ka tërhequr vërtetimin.

“Pas një infarkti kardiak që kisha, përfitova kempin 1-vjeçar. Gjatë kësaj kohe, në çdo muaj, gjatë periudhës që unë jam me raport, marr një ndihmë sociale nga bashkia, 33 mijë lekë, nuk e di fiks sa është, ama duhet ta marr për aq kohë sa jam me raport. Pasi raportin e përfitova, më thanë që shumën duhet ta përfitoj nga muaji Maj, ama pse nga muaji Maj kur mua raporti më fillon nga muaji Nëntor i 2019, ndërsa ata më thotë që duhet të fillojë nga muaji Maj… më duket jashtë logjike që të mos e përfitoj nga fillimi”.

Emisioni “Stop” është interesuar për rastin në fjalë pranë Njësisë Administrative numër 1 në kryeqytet, ku punonjësja u shpreh se vendimi i qeverisë është i tillë, që pagesa përfitohet në bazë të vërtetimit.

Një muaj pas datës së daljes në kemp ai ka të drejtën e përfitimit të ndihmës ekonomike, prej 33 mijë lekë të vjetrash. Por sipas punonjëses, nëse zotëria ka qenë në kemp Epror, ose ka dalë me vonesë jo për arsye të tij por për arsye të kempit, atëherë mund të marrë 3 muajt e pagesës së munguar.

Punonjësja: Këtu marrim dy lloje dokumentash, janë dy vërtetime. Ky është vërtetimi i sigurimeve shoqërore dhe ky vërtetimi është i kempit dhe pagesa këtu bëhet në bazë të këtij vërtetimi, në bazë të kësaj datës. Një muaj pas kësaj date. Kështu e ka vendimi i qeverisë. Një muaj pas datës së daljes në kemp, ai ka të drejtën e përfitimit të ndihmës ekonomike 3300 lekë.

Gazetarja: Pra nuk është se merret për bazë data e daljes në kemp?

Punonjësja: Në qoftë se ai ka qenë në kemp Epror, ose ka dalë me vonesë, jo për arsye të tij, por për arsye të kempit, atëherë mund të marrë 3 muaj.

Pas komunikimit me Njësinë Administrative, gazetarja e emisionit “Stop” për një informacion mbi rastin, është drejtuar tek Sigurimet Shoqërore, ku iu komunikua se megjithëse kempi është mbledhur në datën 25 Shkurt të vitit 2020, pagesa e kempit ka nisur që në ditën që denoncuesi i rastit konkret ka bërë kërkesën, konkretisht në datën 13 Nëntor 2019.

Por kjo gjë nuk vlen dhe për Njësinë Administrative nr.1 në Tiranë, pasi si datë merret data kur zotëria ka munduar të tërheqë vërtetimin nga Kempi Rajonat i Tiranës, në mënyrë që të përfitojë dhe pagesën sociale që merr nga pushteti vendor.

Pagesa sociale që shpërndahet nga Njësitë Administrative, vjen nga Shërbimi Social Shtetëror, e në adresë të tyre, “Stop” ka dërguar një kërkesë për informacion zyrtar, për të kuptuar se përse ndodh kjo gjë… ku nga Institucioni i Sigurimeve Shoqërore merret për bazë data e kërkesës, ndërsa për Njësinë Administrative, data është ajo e vërtetimit që është tërhequr. /tvklan.al