Policia ka arrestuar në flagrancë një 30-vjeçar nga Lezha i cili tentoi të përfitonte nëpërmjet solidaritetit mbarëpopullor për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.

Sipas deklaratës së uniformave blu, Arjan Meli kishte hapur një llogari me emrin “Rilindje” në Facebook. Në këtë faqe, Meli, ka postuar një status në emër të Kryeministrit, duke u bërë thirrje qytetarëve për solidarizim duke kontribuuar në vlera monetare në dy numra llogarie, të cilat ky person i kishte publikuar në këtë status.

Numrat e llogarisë ishin llogari private të 30-vjeçarit dhe gjatë kësaj kohe të shkurtër qytetarë të ndryshëm kanë rënë pre e këtij mashtrimi duke bërë derdhje shumash të ndryshme.

Policia e Shtetit, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Inteligjencës Financiare dhe të sistemit bankar kanë marrë masa për bllokimin e kësaj llogarie.

Policia e Shtetit dënon çdo fenomen abuzimi në këto momente kritike, ndërkohë që bën të ditur se i vetmi kanal unik shtetëror për ofrimin e donacioneve apo ndihmave është nëpërmjet portalit e-albania/dhuro./tvklan.al