Një qytetar në Durrës i diagnostikuar me sëmundje të rëndë ankohet për vonesat e fillimit të pagesës së KEMP-it. Tahir Roci ka denoncuar pranë emisionit “Stop” në Tv Klan këtë problematikë.

Pas disa peripecive shëndetësore, Tahir Roci i është drejtuar Sigurimeve Shoqërore të Durrësit dhe ka përfituar KEMP të plotë, por pagesa i fillon në Mars 2021. Kjo për shkak se penalizohet nga asistenca, me të cilën është trajtuar prej 1 viti.

Tahir Roci:U detyrova të shtrohem në spital nga një sëmundje e rëndë ku u bëra operim, dhe në Shtator më orientuan që të bëj asistencë deri sa të plotësoj dokumentet për KEMP. Dhe unë kështu bëra, mirëpo gjatë Nëntorit-Dhjetorit sëmundja agravoi, bëra dhe ndërhyrja kirurgjikale të dytë. Kur pas pandemisë i bëra letrat gati, i dorëzova, aplikova për KEMP dhe u miratua në Gusht. Kur vij të marr përgjigjen me thonë që do rrish 6 muaj pushim dhe pas 6 muajsh do fillojë KEMP-i. Arsyeja është absurde për mendimin tim”.

Gazetarja e emisionit “Stop” bisedoi me mjekun e KEMP-it, i cili shpjegon se duhet të ishin paguar raportet nga punëdhënësi i Tahir Rocit, dhe jo të merrte pagën, në mënyrë që të mos penalizohej për pagesën e KEMP-it, që tashmë e ka përfituar.

Doktori: Në momentin, që është pajisur me fletë-drejtimi për KEMP, duhet të merrte raporte mjekësore, të cilat zotëria i ka marrë, se i ka çuar te punëdhënësi dhe punëdhënësi nuk i ka paguar ato raporte, por i ka paguar pagën. Përsa i përket raporteve, ne jemi qendër paguese, pra nëse ma sjell subjekti, unë duhet të të paguaj, por unë nuk e detyroj subjektin, që bëje ti!

Gazetarja: Në qoftë se nga kjo zyrë do i ishte thënë zotërisë “ këto raportet, që ke ti zotëri, shko e jepja atij, që të ka marrë në punë dhe të na i sjellë ai dhe të mos paguajë pagën, por të paguaj shteti raportin”!

Doktori: Është bërë fakt i kryer. Unë i kam  kërkuar kryetarit të degës së përfitimeve një mbledhje ditën e hënë.

Pas ndërhyrjes së emisionit “Stop”, në degën e përfitimit të KEMP u mbajt një mbledhje e posaçme dhe u vendos që z.Tahir Roci të përfitojë menjëherë KEMP-in. /tvklan.al