Një grup kriminal shqiptar në Lyon i përfshirë në çështjet e trafikut të drogës është shkatërruar nga policia franceze. Gjatë aksionit policor u arrestuan 16 persona, mes të cilëve një grua.

Të gjithë të arrestuarit janë shqiptarë. Ata janë të moshave nga 19 deri në 46 vjeç, dhe kanë statusin e azilkërkuesit në Francë.

Por, teksa kanë përfituar nga azili, shqiptarët kishin gjetur një mënyrë tjetër për të jetuar pa punuar në mënyrë legale. Ata ishin përfshirë në një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike.

Gjatë kontrolleve policore u sekuestruan më shumë se 2 kilogramë heroinë dhe 500 gram kokainë. U sekuestruan gjithashtu 3200 Euro para cash. Hetuesit zbuluan edhe një vendndodhje që përdorej nga shqiptarët për të shitur drogën.

Kjo pikë, shkruajnë mediat franceze, ishte përdorur edhe nga trafikantët e tjerë. Shqiptarët e arrestuar akuzohen për trafik droge dhe organizatë kriminale. /tvklan.al