Lirimi me kusht apo gjykimi i shkurtuar janë procedura ligjore nga të cilat kanë përfituar njerëz të njohur të botës të krimit, të akuzuar për vepra të renda penale.

Rasti i Dritan Dajtit, akuzuar për vrasjen e 4 policeve dhe i dënuar me vendim të formës së prerë me 25 vite burg është vetëm njeri prej tyre.

Dy ditë me parë gjykata e Korçës do të lironte Gerd Gjinararin, akuzuar për vrasjen e Naim Zyberit në një spital në Milano në vitin 1997. Gjykata italiane do ta dënonte me burgim të përjetshëm, vendim i cili u prish nga gjykatat shqiptare.

Në 29 Janar 2015 gjykata e Tiranës do të pranonte gjykimin e shkurtuar edhe për Kostandin Xhuvanin. Ai u gjet fajtor për vrasjen e 4 personave në një lokal në Tiranë, por duke përfituar nga gjykimi i shkurtuar u dënua përfundimisht me 35 vite heqje lirie.

Në Dhjetor 2016 Gjykata e Apelit e Durrësit do të lironte me kusht Lulzim Berishën, i ashtuquajturi kreu i bandës së Durrësit, duke qenë se kishte vuajtur tre të katërtën e dënimit. Vendimi i kësaj Gjykate erdhi pas vendimit të Gjykatës së lartë, e cila rrezoi dënimin me burgim të përjtshëm ,duke e dënuar me 25 vite heqje lirie.

Ermal Hoxha ,nipi i ish-diktatorit Enver Hoxha i arrestuar për laboratorin e kokainës në Xibrake përfitoi nga lirimi me kusht duke dalë nga qelia në shtator të 2018-ës gati tre vite pas arrestimit. Pjesa tjetër e grupi të “Xibrakes” përfituan nga gjykimi i shkurtuar në gjykatë e apelit për krimet e rënda, kërkesë e cila ishte refuzuar nga shkalla e parë. Për këtë dosje Prokuroria nuk bëri rekurs ne Gjykatën e Lartë edhe pse 9 të pandehurve ju ul dënimi, por edhe pse nga gjykata u bë rikualifikim i veprës penale. Ata nuk u dënuan për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike, por për prodhim dhe mbajtje të tyre.

Tv Klan