Automjeti që transporton Kryeministrin e Britanisë së Madhe Boris Johnson u përfshi në një aksident automobilistik.

Incidenti ndodhi jashtë Parlamentit britanik, kur një protestues iu drejtua eskortës së Kryeministrit.

Kjo e detyroi makinën e Kryeministrit Johnson që të bënte frenim të papritur. Për shkak të kësaj, njëra nga makinat shoqëruese të eskortës përplasi nga pas automjetin e Boris Johnson.

Nga përplasja pati vetëm dëme materiale dhe asnjë të lënduar. Në momentin e incidentit, Kryeministri Boris Johnson ka qenë brenda në automjet, raporton BBC.  

Policia angleze arrestoi protestuesin që i doli përpara eskortës së Kryeministrit britanik, me akuzën e pengimit të qarkullimit dhe bllokimit të rrugës. /tvklan.al