Një ngjarje e rëndë është shënuar në Gjirokastër mbrëmjen e dielës, ku një vajzë e mitur ka humbur jetën si pasojë e flakëve të zjarrit.

Rasti është shënuar në fshatin Dervician të Dropullit rreth orës 20:30. Policia njofton se zjarri ra në banesën e qytetarit Irakli Ndrico 49 vjeç. Ky i fundit, së bashku me vajzën e tij 12-vjeçare, kanë qenë brenda shtëpisë në momentin e flakëve.

Forcat zjarrfikëse që shkuan në vendngjarje mund të nxirrnin babain dhe vajzën. Si pasojë e flakëve, babë e bijë mbetën të dëmtuar dhe u dërguan në Spitalin e Gjirokastrës për ndihmë mjekësore. Fatkeqësisht, pas disa minutash, 12-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë për shkak të asfiksisë në rrugët e frymëmarrjes.

Në vendngjarje shkuan shërbimet e policisë dhe grupi hetimor nisi hetimet për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave. Paraprakisht mendohet se zjarri në banesë u shkaktua nga një qiri i ndezur.

Kujtojmë se dy javë më parë, konkretisht në datë 16 Nëntor, sërish në zonën e Dropullit të Gjirokastrës, në fshatin Hllomo u përfshi nga flakët një banesë dhe fatkeqësisht humbën jetën çifti i të moshuarve I.P. dhe F.P. /tvklan.al