Një automjet u përfshi nga flakët pasditen e kësaj të marte në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 16:10 në rrugën “Dedë Gjo Luli”, pas Muzeut Kombëtar.

Siç mund të shihet nga këto pamje të përcjella në redaksinë e tvklan.al nga një qytetar, automjeti është përfshirë i gjithi nga flakët. Fillimisht qytetarët u frikësuan duke menduar se mund të bëhej fjalë për një ngjarje kriminale.

Megjithatë, ashtu siç konfirmoi edhe Policia e Tiranës në njoftimin e saj për mediat, në fakt bëhej fjalë për një ngjarje aksidentale. Automjeti dyshohet se mori flakë si pasojë e një shkëndije elektrike, gjatë kohës që ishte në lëvizje.  

Në të udhëtonin dy persona, të cilët fatmirësisht nuk pësuan dëmtime.

Në video shihet edhe momenti kur në vendngjarje mbërrijnë forcat zjarrfikëse dhe shuajnë flakët. Ndërkohë rreth e rrotull mund të shihen qytetarë të shumtë.

Një grup hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./tvklan.al