Bëhet prova e ndriçimit në Spitalin e Fierit

Ndonëse është fundjavë, puna për ndërtimin e spitalit Memorial të Fierit vazhdon pa pushim.

73 ditë nga nisja e zbatimit të projektit, punimet ndërtimore të godinave kanë përfunduar të gjitha. Urgjenca, sallat e mjekëve dhe dhomat e pacientëve, janë gati dhe së shpejti pritet të mbërrijnë pajisjet shëndetësore.

Po ashtu, janë vendosur tabelat për shërbimet që do të ofrohen në këtë spital. Shërbimi i urgjencës, i ORL, sëmundjet infektive, departamenti special i kirurgjisë dhe okulistika do të ofrohen të parat në këtë spital.

Mbrëmjen e së shtunës u bë edhe prova e ndriçimit, e cila rezultoi e suksesshme.

Tashmë, mjetet e punës janë përqendruar në ndërtimin e rrugës hyrëse dhe sistemimin e ambienteve të jashtme.

Rruga hyrëse që të çon drejt spitalit do të jetë në rreth rrotullimin e aksit nacional të fshatit Daullas. Mbjellja e pemëve dhe hedhja e asfaltit nis të hënën.

Koordinatori i projektit Evis Berberi, është optimist për ritmet e punimeve. Spitali pritet që të jetë tërësisht gati javën e tretë të Prillit.

Tv Klan