Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku ka qenë sot në kantierin e punimeve për rrugën Kardhiq-Delvinë që lidh Gjirokastrën me Sarandën përmes tunelit të Skërficës. Gërmimet në këtë tunel tashmë kanë përfunduar dhe rruga pritet që të jetë gati në periudhën Qershor-Gusht 2022.

Aksi rrugor Kardhiq-Delvinë do të jetë me dy kalime dhe do të ketë një gjatësi 33 kilometra. Ministrja Balluku sqaroi se kjo rrugë është e përbërë nga 8 lote dhe tuneli i Skarficës është loti i 7. Së bashku me dy inxhinierë të ARRSH-së, ministrja Balluku përfshkoi me automjet të gjithë tunelin e Skërficës që do të lidhë dy qytetet, Gjirokastrën dhe Sarandën.

I pranishëm në kantierin e punimeve ishte edhe kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi, i cili tha se kjo rrugë do të ndikojë pozitivisht edhe për turizmin. Për shkak të afërsisë që do të ketë mes dy qyteteve, Golemi tha se edhe Gjirokastra do të ketë dalje më të shpejtë në det përmes Sarandës.

“Gjirokastra dhe Tepelena në fakt janë bashkë se dhe oferta turistike që ofrohet është e përbashkët. Dhe në fund fituesja më e madhe është Gjirokastra, sepse ai turisti do kalojë një ditë në Tepelenë dhe do kthehet prapë në Gjirokastër, do kalojë në Sarandë e do kthehet prapë në Gjirokastër. Kemi arritur që në një vit të vështirë të kemi më shumë se 30-40 mijë turistë në një periudhë 2-mujore shumë të vështirë, vazhdon të kemi prapë probleme post-pandemisë. Në fundjavë ne kemi vështirësi që të rregullojmë miqtë dhe shokët në strukturat akomoduese në Gjirokastër kur vetëm numri që kemi në pjesën historike shkon më shumë se 1 mijë shtretër. Patjetër që kjo rrugë i jep tjetër dimension Gjirokastrës, sepse na bëtë me det”, u shpreh kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi. /tvklan.al