Përfundon afati 100 ditë i policisë, nis analiza e punës - Tv Klan

Përfundon afati 100 ditë i policisë, nis analiza e punës


Përfundon afati 100 ditë i policisë, nis analiza e punës

15:36 15/10/2021

Në më shumë se 3 muaj, u regjistruan 12 vrasje. Atentatet mafioze të pazbardhura

“100 ditë kohë për ta rivënë të gjithë trupën në angazhimin maksimal nga i pari tek i fundit”, ka thënë kryeministri Rama në muajin Korrik.

Pas këtij ultimatumi, në të gjitha policitë e qarqeve nisi puna. Ndonëse vëmendja ishte e madhe në menaxhimin e sezonit turistik, nuk mungoi dhe puna për parandalimin e krimeve. Në 23 ditë e Korrikut pati 2 vrasje, raste brenda familjes. Më pas gjatë muajit Gusht pati një rritje të ngjarjeve kriminale, me 4 të tilla. E njëjta situatë u regjistrua dhe në Gusht, ndërsa nga 3 ngjarje u shënuan në Shtator dhe Tetor. Gjatë kësaj kohe nga 12 vrasje, 9 janë zbardhur ndërsa 3 atentate vijojnë të jenë pa autorë.

Kulmi i ngjarjeve kriminale ishte në 28 Shtator, kur në krye të detyrës  u vra efektivi i policisë Saimir Hoxha. Kjo ngjarje solli dhe dorëheqjen e drejtorit të policisë, Ardi Veliu, i cili u zëvendësua nga Gledis Nano.

Një nga porositë e kryeministrit ishte parandalimi i krimeve në familje por dhe zbulimi i efektivëve që bashkëpunojnë me krimin. Gjatë kësaj kohe janë shënuar 5 krime në familje, ndërsa për ngjarje të ndryshme, apo kultivim kanabisi u arrestuan e pezulluan nga detyra 13 punonjës policie.  

Analiza e punës së policisë në më shumë se 100 ditë ka nisur nga policia e Tiranës, e më pas do vijojë dhe në 11 qarqet e tjera. Gjatë kësaj kohe do kalohet në filtër e gjithë puna e komisariateve të vendit, ndërsa në përfundim do të përpilohet dhe një raport përfundimtar. Pas analizës do të ketë ndryshime në dikasteret që nuk kanë patur rezultat. Ndryshimet që priten të bëhen janë në nivel komisariatesh dhe drejtorish, si vendore ashtu dhe qendrore.

Klan News








Të ngjashme