Hakerat hynë në 21 Maj 2021 nga “administrata.al”

21 Maj 2021 është data kur hakerat iranianë arritën të hynin brenda sistemeve shtetërore shqiptare. Kjo është zbuluar në përfundim të hetimeve ekspertëve të Microsoft dhe një ekipi investigues të krimit kibernetik të FBI-së. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, AKSHI thotë se sulmi i sofistikuar iranian që kishte për synim fshirjen e të dhënave arriti të cenojë vetëm 1 të dhjetën e sistemeve shqiptare dhe se gjithçka u rikuperua brenda 1 jave.

Hakerët përdorën dobësinë e sistemit administrata.al. Ky sistem sipas AKSHI-t është prokuruar me fonde të IPA-s, por nuk është implementuar, menaxhuar apo ndjekur nga ky institucion AKSHI dhe se vetëm është hostuar fizikisht pranë Datacenter-it qeveritar. Hetimi zbuloi keqbërësit qëndruan brenda sistemit për 287 ditë dhe vetëm kur fillojnë aktivitetin bëhen të dukshëm.

Raporti ka zbuluar se prapa sulmeve fshiheshin organizata iraniane si MOIS (Ministria e Inteligjencës Iraniane) dhe Garda Revolucionare Iraniane që financohen me rreth 7 miliardë dollarë në vit. Këto organizata kanë sulmuar në mënyrë të ngjashme edhe vende të tjera si Izraeli, Jordania, Kuvajti, Arabia Saudite dhe Turqia.

Ndërsa për sulmin e 9 shtatorit ndaj sistemit TIMS, AKSHI thotë se ajo është një infrastrukturë e pavarur nga ky institucion. Sipas raportit bëhet fjalë për 2 sulme të ndryshme me kohëzgjatje të ndryshme. Autoritetet shqiptare garantojnë se të dhënat janë të sigurta pasi autorët nuk ia arritën qëllimit.

Tv Klan