Palët nuk bien dakord për ndryshimin e sistemit

Propozimi i opozitës së bashkuar për hapje 100% të listave pa ndryshuar koalicionet parazgjedhore nuk gjeti konsensusin e mazhorancës në Këshillin Politik. Pas një mbledhje që zgjati rreth 2 orë e gjysmë, përfaqësuesi i mazhorancës në këtë Këshill, Damian Gjiknuri tha se propozimi i opozitë nuk bazohet në asnjë model tjetër.

“Hapja e listave ka sfida të mëdha administrative. Ndaj duhet kujdes në mënyrën se si formohen koalicionet. Iu thamë që të gjejnë modelet të vendeve me lista të hapura dhe që kanë koalicione të tilla zgjedhore. Por deri tani nuk kemi gjetur. Rëndësi e madhe është hapja e listave. Dhe unë kam pasur skeptizicmin tim, se mohoj. Hapja e listave është kërkesë e gjithëpranuar”.

Modelet i renditi pas tij përfaqësuesi i Partisë Demokratike në këtë Këshill, Oerd Bylykbashi, që thotë se Rama kërkon alibi për të mos e pranuar propozimin.

“Është fare e qartë për shqiptarët se Edi Rama hapjen e listave e ka alibi. Është një farsë dhe një justifikim për Edi Ramën në funksion të qëllimit për të ndryshuar rregullat e garës. Përfaqësuesi i mazhorancës refuzoi gjithë kohës propozimin tonë edhe pse ne i dhamë modelet e vendeve të tjera siç janë Belgjika, Danimarka, Italia, Letonia të cilat e kanë përdorur prej 17 vjetësh. E gjithë kjo përpjekje është për të vrarë mundësinë e partive politike për të garuar në liri të plote”.

Mazhoranca i qëndroi idesë se ndryshimet kushtetuese të parashikuara për t’u votuar në 30 Korrik e plotësojnë edhe këtë kërkesë të opozitës jashtë parlamentit, por për këtë të fundit çdo ndryshim i njëanshëm do të rrëzonte marrëveshjen e 5 Qershorit.

Tv Klan