Ende nuk ka dakordësi mes palëve

Edhe mbledhja e kësaj të shtune e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore ka përfunduar pa sukses. Identifikimi elektronik dhe reformimi i administratës janë dy pikat të cilat vijojnë të mos gjejnë dakordësi.

Pas përfundimit të kësaj mbledhjeje që nisi rreth orës 17:00, Oerd Bylykbashi tha se asnjë prej propozimeve të opozitës nuk është pranuar nga Partia Socialiste.

“Partia Socialiste në strategjinë e saj ka vetëm një gjë, vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe të cilën opozita nuk do ta lejojë të kalohet. Pa u arritur dakordësia për propozimin tonë, që bllokon mbushjen e kutive nëpërmjet identifikimit biometrik të zgjedhësve në të gjitha qendrat e votimit, të gjitha përpjekjet e tjera nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të maskuar atë që thashë më parë. Më lejoni të theksoj se kemi bërë propozime për të garantuar votën e zgjedhjeve shqiptarë, që ajo votë të numërohet e paprekur dhe rezultati të përcaktojë fituesin dhe rotacionin. Të gjitha propozimet tona janë refuzuar, pavarësisht fleksibilitetit të opozitës ne jemi përballur me refuzimin me të gjitha çështjet që garantojnë procesin zgjedhor.

Damian Gjiknuri pranon se këto janë dy pikat që ndajnë palët, por mohon që propozimet e opozitës nuk janë pranuar.

“Vërtetë pika më madhe që na ndan janë dy propozimet kryesore, përfshirja e teknologjisë 100 % në zgjedhje, pra identifikimi elektronik dhe reformimi i administratës zgjedhore bazuar në kriteret apolitike dhe bazuar në rekomandimet e ODIHR-it. Sa i përket teknologjisë, vullneti jonë ka qenë shumë i qartë dhe morën përsipër dhe u angazhuan që të aplikojmë qoftë teknologjinë biometrike të identifikimit, ashtu edhe çështjen e votimit elektronik. Por përtej dëshirës, sepse dëshira ekziston, puna është a është e bëshme dhe çfarë risqesh merr këtu qeveria. Iu drejtuam zyrtarisht ODIHR-it, ekspertëve, të cilët na thanë që sistemi elektronik në zgjedhje duhet të implementohet gradualisht, duke filluar nga projekti pilot, jo më shumë se 10 përqind. Ne po themi ta shtrijmë edhe më tepër, madje zonat t’i zgjedhë PD. Nga ana tjetër bëra dhe një sfidë tjetër sot, hajde t’i drejtohemi së bashku ODIHR, të biem dakord 100%, t’i drejtohemi ODIHR po na ktheu përgjigje pozitive dhe heq dorë nga opinioni i parë, po e marrim atë risk. Por jo, nesër të vijë ODIHR të monitorojë zgjedhjet dhe të thotë dështoi sistemi, sepse pavarësisht rekomandimit tonë doli ky problem, pra mund të vihen në rrezik zgjedhjet. Kjo përbën një çështje akoma të pazgjidhur. Dëshira është e madhe, ne do mundohemi të akomodojmë çdo interes të PD që është i mundshëm dhe i ligjshëm. Po nuk vihet me kushte dhe listë dëshirash që vetëm këto zgjidhin të gjithë problemet. Së dyti edhe administrata jo politike e cila do të ketë dhe sy politik, kemi ofruar kompromis edhe aty, pra kemi arritur të ofrojmë kompromis që këto garanci që kanë nevojë t’i kenë aty, mund të jetë një zgjidhje e pranueshme”.

Ndërsa Rudina Hajdari tha kishte propozuar një formulë për hapjen e listave pjesërisht, por që nuk u pranua nga palët.

“U çuan direkt pasi nuk morën përgjigjet që donin. E para, unë erdha në këtë tryezë me synimin që të ndryshoj sistemin zgjedhor. Erdha sepse e di shumë mirë, që shqiptarët e duan ndryshimin zgjedhor. Nuk kuptoj përse PD nuk përqafon këtë ide. Erdha këtu jo vetëm me dëshirën për të ndryshuar sistemin, por edhe me dëshirën për të gjetur një formulë kompromisi, që ta pranonin të gjitha palët. Dhe sot, i propozova një formulë e cila është mbështetur edhe nga ndërkombëtarët, edhe nga Ambasada Amerikane, edhe nga shumë faktorë të tjerë të shoqërisë civile, që është një formulë e cila e hap listën pjesërisht. Edhe këtë ma hodhën poshtë. Po mirë, a ma thoni ju përse këta njerëz kanë kaq frikë për të ndryshuar sistemin zgjedhor, për të hapur listat, për t’i dhënë qytetarëve të drejtën për të votuar përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Shqipërisë. E kuptoj fare mirë Edi Ramën që e do këtë sistem, sepse ka 74 mandate, ka më shumë se gjysmën e parlamentit dhe me këtë pushtet është bërë autoritar, i gjithëpushtetshëm. Por nuk e kuptoj Lulzim Bashën përse e do këtë sistem që e ka bërë Edi Ramën perandor, nuk e kuptoj dot. Prandaj edhe pse sot këta qëndruan bashkë me njëri-tjetrin kundër këtij propozimi, propozim i denjë, i realizueshëm në një kohë të shkurtër, para zgjedhjeve të 2021-t dhe nuk e bënë. Nuk donin, thanë gjëra të ndryshme, unë nuk e pranova atë përgjigje, sepse dua që në zgjedhjet e 2021, ne të shkojmë me në sistem tjetër, të shkojmë minimalisht me lista të hapura. Por nuk e pranuan sepse kanë frikë, kanë frikë nga vota e qytetarëve”. /tvklan.al