Lajme Arkiva – Tv Klan 2000

Flamuri i Greqisë nuk do të valëvitet më mbi kodrinën e fshatit Yzberisht, në periferi të Tiranës, në territorin ku që prej tre vjetësh ishin vendosur 803 ushtarët grek. Largimin nga Shqipëria, ushtarët grekë e kanë festuar në prani të Ministrit të Mbrojtjes greke Xohaxopulos, Ministrit shqiptar të Mbrojtjes Ilir Gjoni, ushtarakëve të lartë dhe klerikëve grekë të Kishës Ortodokse Shqiptare.

Sipas deklaratave të dy Ministrave të Mbrojtjes, numri i ushtarëve grekë që do të rikthehen në Shqipëri ende nuk është vendosur, por tani e tutje ata do të jenë në kuadër të trupave të NATO-s, të cilat përbëhen kryesisht nga ushtarë italianë nën komandën e gjeneralit Amilcare Kazaloto. I pyetur për luftën ndaj trafiqeve dhe marrëveshjen italo-shqiptare, Ministri grek i Mbrojtjes Xohaxopulos u shpreh:

Apostulos Xohaxopulos:- “Ky është një problem i përbashkët. Është një problem që nuk ka të bëjë vetëm me dy vendet tona, por me të gjitha vendet e Bashkimit Europian. Në kuadrin e bashkëpunimit të Paktit të Stabilitetit për Europën Juglindore, që është perspektiva e integrimit evropian, parashikohet një mënyrë bashkëpunimi për përballimin e trafiqeve të ndryshme”.

Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes shqiptare Ilir Gjoni, mohoi deklaratat për shkeljen e sovranitetit territorit shqiptar.

Ilir Gjoni, Ministri i Mbrojtjes:- “Çdo marrëveshje që Shqipëria ka qoftë me Greqinë, qoftë me Italinë apo dhe me vende të tjera është bërë dhe do të bëhet brenda kuadrit kushtetues të Shqipërisë. Ato gjykime që janë dhënë janë naive, pra nuk mendoj se Shqipëria mund të bëhet një vend ku të përplasen rivalitete të tjera. Ne jemi vend sovran, për më tepër si Italia ashtu dhe Greqia janë dy vende aleate, janë anëtare të Bashkimit Europian”.

Reparti ushtarak i Yzberishtit i kaloi në administrim ushtrisë shqiptare. Gjatë qëndrimit në Shqipëri ushtarët grek ndihmuan në shpërndarjen e ndihmave humanitare dhe projektet e infrastrukturës. Qeveria shqiptare e konsideron të përfunduar misionin e kompanisë greke, ndërsa parlamenti nuk pranoi të ratifikojë marrëveshjen për zgjatjen e misionit të tyre në Shqipëri./tvklan.al

Gazetar – Vladimir Lame